Dialogun politik me Serbinë do ta udhëheqë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke u këshilluar me presidenten, Vjosa Osmanin, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ai ka theksuar se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2019, e ka bërë të qartë se kush udhëheq me këtë proces.

“Natyrisht, kryeministri këtë do ta bëjë duke u këshilluar dhe koordinuar me presidenten dhe duke ndërtuar konsensus nacional e shtetëror në lidhje me dialogun. Kryeministri ka deklaruar disa herë tashmë se do të kërkojë konsensus dhe debat deri në shterim me opozitën për çështje kapitale për vendin dhe dialogu me Serbinë është ndër çështjet kryesore ku do të kërkohet konsensus”, u shpreh Kryeziu.

Sipas vendimit të vitit 2019, të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria e Kosovës është bartësja e procesit të dialogut me Serbinë.

Por, njohësit e zhvillimeve politike Rrahman Paçarizi dhe Dushan Janjiq, thonë se as Kurtit dhe as presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pavarësisht qëndrimeve të shprehura në favor të dialogut ndërmjet dy vendeve, që të dy nuk janë të gatshëm që t’i qasen rinisjes së këtij procesi.

Pas zgjedhjes së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit si dhe kompletimit të institucioneve të larta të vendit me përbërjen e re, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, partnerët perëndimorë të Kosovës janë duke insistuar për rinisjen e dialogut të saj me Serbinë në Bruksel.

Osmani dhe Kurti në bashkërendim për politikën e jashtme

Të mërkurën, më 7 prill, presidentja e Kosovës, Osmani ka pritur në takim kryeministrin Kurti dhe disa nga drejtuesit e dikastereve qeveritare, ku diskutuan për nevojën e krijimit të mekanizmave të përbashkët koordinues në fushën e politikës së jashtme.

“Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti u pajtuan për bashkërendim të rregullt institucional mes institucioneve kyçe të Republikës së Kosovës në realizimin e synimeve të përbashkëta që lidhen me forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe sigurinë kombëtare”, thuhet në njoftimin e nga Zyra e Osmanit.

Ndërkaq, në urimin që Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell i ka shkruar më 5 prill, Vjosa Osmanit, me rastin e zgjedhjes së saj presidente, ka thënë se “me institucionet e reja në vend, Kosova mund të përqendrohet vendosmërisht në reformat e nevojshme dhe në dialogun e lehtësuar nga BE-ja” .

Më 3 prill, kancelaria gjermane, Angela Merkel, e ka uruar Albin Kurtin për zgjedhjen e tij si kryeministër dhe i ka përmendur atij detyrat e rëndësishme dhe të rënda që e presin qeverinë e re, sikurse sundimi i ligjit, luftimi i krimit dhe korrupsionit, përmirësimi i situatës ekonomike dhe “veçanërisht, dialogu për normalizim me Serbinë”.

Presidentja Osmani ka deklaruar se dialogu është rruga që Kosova e ka përpara, por siç ka thënë ajo, “ai duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë”.

“Paqja do të arrihet vetëm kur të shohim pendesë nga Serbia, kur të kërkojë falje ajo dhe kur të vendoset drejtësi për ata që kanë pësuar nga krimet e tyre”, ka thënë Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se për dialogun me Serbinë duhet të vendosen katër parime. Siç ka theksuar ai, duhet të pranohet realiteti i Kosovës së pavarur, duhet të pranohet e vërteta nga Serbia për krimet që ka kryer në Kosovë, të dyja palët duhet të jenë të barabarta në diskutim dhe që nga dialogu dhe nga marrëveshja finale të përfitojnë qytetarët.

Presidenti serb, Vuçiq më herët ka theksuar se është i gatshëm t’i përgjigjet ftesës së Brukselit për të vazhduar dialogun. Megjithatë, në shkurt të këtij viti, Vuçiq pati theksuar se mund të pritet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me Bashkimin Evropian, të bëjnë presion ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën në periudhën e ardhshme.