Ardian Çapja ka lënë ambientet e spitalit të Kardiokirurgjisë në QSUT, duke u transferuar në ambientet e Spitalit të Burgut.

Nëpërmjet avokatit të tij, Çapja ka kërkuar lirinë në Gjykatën e Apelit Durrës, duke argumentuar për një masë më të butë.

Çapja u arrestua pak dite më parë gjatë operacionit “Krasta 2021” për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit në vitin 2012. Në kërkim për të njëjtën ngjarje është edhe Florenc Çapja, të akuzuar nga prokuroria si porositës dhe organizator të vrasjes, që dyshohet se është pasojë e një vargu hakmarrjesh në Elbasan.

Hetimet për ngjarjen u rihapën në vitin 2018 nga disa të dhëna të mbërritura në Policinë e Shtetit, ndërsa prova më e fortë e Prokurorisë së Elbasanit është dëshmia e Ervis Bardhit, i konsideruar si ekzekutuesi fizik i Gentian Beqirit në apartamentin e tij.

Bardhi, pasi u zbulua nga shenja e gishtit në targën e makinës së përdorur për vrasjen, zgjodhi të bashkëpunojë me drejtësinë duke treguar detaje.

Dëshmia e Bardhit u konsiderua e besueshme nga Prokuroria, teksa ai ka treguar me detaje mënyrën e vrasjes dhe faktin që ka marr 50 mijë euro për vrasjen.