Nga Christopher Williams

Muajt ​​e fundit presidenti francez Emmanuel Macron ka filluar të ketë qëndrim të njëjtë me të djathtën ekstreme në raport me Islamin në Francë. Ndërsa mund të jetë shqetësuese për shumëkënd për një numër arsyesh etike, morale dhe të drejta njerëzore, kjo lëvizje është gjithashtu shqetësuese edhe për shkak të asaj që nënkupton rritja e vazhdueshme në sondazhe e partisë radikale të së djathtës, Rassemblement National, RN, (Tubimi Kombëtar), dhe udhëheqëses së saj Marine Le Pen.

Në tetor 2020, Macron mbajti një fjalim gjatë të cili ai paralajmëroi mbi rrezikun e  “separatizmit islamik”, duke argumentuar se kjo është një ideologji midis myslimanëve në Francë që po saboton vlerat e Republikës, në një kohë që pretendon se pasuesit e këtij fraksioni të Islamit, i shohin “ligjet e tyre si më superiore ndaj atyre të Republikës”.

Në përgjigje të këtij shqetësimi, në muajin shkurt Asambleja Kombëtare Franceze, e udhëhequr nga partia e Macron La République en Marche (LREM) miratoi një projektligj të quajtur “Mbështetja e Respektit për Parimet e Republikës”.

Ky projektligj, që pritet të miratohet këtë muaj në Senat, do të prekë shumë aspekte të jetës sociale dhe fetare në Francë. Teksa nuk përmend në mënyrë specifike Islamin, shumë njerëz në komunitetin mysliman mendojnë se në shënjestër janë pikërisht ata.

Një nga mbështetësit kryesorë të këtij ligji, Ministri i brendshëm Gérald Darmanin ka deklaruar publikisht se qeveria duhet t’i“shpëtojë fëmijët francezë nga kthetrat e islamikëve”, dhe madje ka arritur deri aty sa ta akuzojë Le Pen si të butë ndaj Islamit radikal.

Për të kuptuar se si ky ndryshim i qasjes nga Macron dhe partia e tij e ndihmon Rassemblement National të së djathtës radikale, duhet kuptuar në radhë të parëse si partitë politike ndërveprojnë me njëra-tjetrën brenda një sistemi politik.

Përmes retorikës por dhe veprimeve, Macron duket se po i afrohet pozitës radikale të djathtë të partisë së Le Pen.Në zhargonin e shkencave politike, do të thoshim që Macron dhe partia e tij po “zënë” pozicionet e RN – ose se ai po e zhvendos partinë e tij drejt pozitës së një partie tjetër për të ndaluar mundësinë e humbjes së votave.

Zakonisht mendohet se kjo taktikë do ti sjellë Macron disa mbështetës radikalë të djathtë, gjë që do të dëmtonte Tubimin Kombëtar në zgjedhjet e ardhshme. Por kjo mënyrë e zakonshme e të menduarit injoron pronësinë e kauzave, një koncept shumë i rëndësishëm në zhargonin e shkencave politike.

Ai tregon se votuesit lidhin kauza të caktuara me parti të veçanta. Votuesit mund të mendojnë se një parti është më “e ashpër ndaj krimit”, apo se ekonomia ecën më mirë kur në krye është një parti e caktuar.

Kur një parti e zotëron një kauzë, strategjia e saj zgjedhore ndryshon. Ndryshimi i pozicioneve rreth një çështje, për të kënaqur numrin më të madh të votuesve nuk është më i rëndësishëm. Përkundrazi, një parti mund të fitojë vota në zgjedhje thjesht duke rritur epërsinë publike të kauzës që ajo mbron.

Nëse një parti mund ta bëjë një votues të mendojë për kauzën e saj, gjasat që votuesit të votojnë për partinë që ngre kauzën rriten. Sidoqoftë, partia që ngre kauzën nuk mund të jetë protagonistja e vetme që mund të tërheqë vëmendjen e publikut për një çështje të caktuar; pasi edhe partitë tjera mund ta bëjnë këtë.

Në një studim të fundit të kryer në bashkëpunim me Sophia Hunger (ËZB Berlin Social Science Center), ne zbulojmë se kur një parti e vetme zotëron pozicionin e një partie që e ka ngritur një çështje të caktuar, shtohet shqetësimi i publikut mbi atë çështje.

Nëse një parti përpiqet të marrë një pozicion të ngjashëm për një çështje, ngjashëm me një parti tjetër që e ka ngritur e para çështjen, publiku fillon t’i kushtojë vëmendje më të madhe kësaj çështje, dhe kjo mund të bëjë që votuesit ta braktisin partinë dhe të pozicionohen dhe të votojnë për partinë që e ka ngritur e para çështjen.

Për shembull, një parti e gjelbër mund të zotërojë çështjen e mjedisit. Nëse kjo parti tërheq vëmendjen e publikut ndaj ndryshimeve klimatike, më shumë votues do të mendojnë për mjedisin kur të votojnë.

Kështu, ata kanë më shumë gjasa të votojnë për partinë e gjelbër. Por nëse një parti e qendrës së majtë përpiqet të ngrejë problematika në lidhje me çështjet mjedisore, në fakt ajo ka më shumë gjasa që t‘i çojë votuesit tek të gjelbrit sesa të tërheqë drejt saj votuesit e të gjelbërve.

Kjo përshtatet me hulumtimet që kam botuar me Maurits Meijers (Universiteti Radboud), në të cilat kemi zbuluar se kur partitë qendrore bëhen më shumë kundër BE-së përballë një partie të themeluar radikale të djathtë, partia qendrore humbet votat.

Më tej, një studim nga Werner Krause (WZB Qendra e Shkencave Sociale në Berlin), Denis Cohen (Universiteti i Mannheim) dhe Tarik Abou-Chadi (Universiteti i Cyrihut), zbulon se veçimi i të djathtës radikale nga partitë e zakonshme, çon në rritjen e përqindjes së votës për të djathtën radikale.

Kur merret parasysh pronësia e kauzave, zgjedhjet bëhen më shumë në lidhje me vëmendjen e publikut ndaj çështjeve, dhe se cila parti e ka ngritur e para atë kauzë. Kjo ka rëndësi për zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 2022, pasi në Francë çështje të tilla si emigracioni, mbrojtja e mënyrës kombëtare të jetës dhe kundërshtimi ndaj multikulturalizmit, janë në një farë mënyre pronë e RN.

Deklaratat dhe veprimet e fundit nga Macron dhe LREM tregojnë një qasje të ngjashme me politikat e RN, duke i kushtuar rëndësi publike çështjeve të ngritura më parë nga RN.

Ndërsa rritet shqetësimi dhe vëmendja e publikut ndaj këtyre çështjeve, rritet gjithashtu edhe shansi që votuesit të mendojnë për çështjet e ngritura nga RN në zgjedhjet e vitit 2022. Kjo është veçanërisht shqetësuese, pasi e djathta radikale ka fituar pushtetin gjatë dekadave të fundit.

Le Pen u rendit e dyta në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017. Në raundin e dytë, Le Pen mori gati 34 për qind të votave përkundrejt Macron. Sondazhet paraprake për zgjedhjet e vitit 2022 në Francë tregojnë se Le Pen mund të fitojë.

Në vitin 2017, ajo grumbulloi rreth 21 për qind të votave në raundin e parë. Sipas sondazheve rezulton se ajo merr 25 për qind të votave. Për më tepër, në një garë kokë më kokë në raundin e dytë, Le Pen parashikohet të marrë 45 për qind të votave, çka do të ishte një tjetër përmirësim i dukshëm për të djathtën radikale.

Duke pasur parasysh rëndësinë e pronësisë së kauzave dhe vëmendjen e publikut mbi to, vendimi i Macron për t’u marrë me çështje që tradicionalisht i përkisnin të djathtës radikale, si dhe ndjekja e politikave islamofobe dhe ksenofobe, mund ta forcojnë më tej Tubimin Kombëtar të Le Pen.

Kjo është një strategji e rrezikshme për Macron, duke pasur parasysh sondazhet për zgjedhjet presidenciale të vitit 2022. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se duhet të bëhemi gati për një presidente Le Pen, por studimi mbi pronësinë e kauzave, tregon se kjo gjë ka shumë gjasa që të ndodhë. / EU Observer