Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi ka reaguar pas vendimit të arbitrazhit për të dënuar Shqipërinë me 110 mln euro në gjyqin me biznesmenin italian Francescho Becchetti.

Sipas kreut të PDIU, dëmshpërblimi do t’i paguhet biznesmenit italian, Francesco Becchetti dhe çdo qytetar i këtij vendi do të nxjerrë nga xhepi i tij 4560 lekë të reja. Idrizi e konsideron vendimin e Ramës si hakmarrje personale ndaj sipërmarrësit italian, por me kosto për buxhetin e shtetit dhe taksapaguesit.

Idrizi thekson se paratë duhet të paguhen nga vetë Rama dhe kushdo që ka marrë vendime arbitrare dhe jo nga qytetarët.

Gjithashtu, kreu i PDIU i bën thirrje Prokurorisë, veçanërisht SPAK-ut, që të hetojnë çdo vendim me firmë dhe vulë të kryeministrit, që përkthehet në dëm dhe kosto për buxhetin e shtetit dhe xhepin e qytetarëve.

Për Idrizin, Rama sillet si despot i një regjimi rrumpallë, që hakmerret ndaj kujtdo që është kritik me të.